Wednesday, February 19, 2014

Rrëqebulli nuk është më një legjendë por një banor i rregullt në Shqipëri

Në disa publikime të tjera por edhe nga kontakti që kemi me Shoqatën për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) e cila rreth 5 vjet që punon në një projekt të përbashkët me EURONATUR, organizatë mjedisore në Gjermani, ‘’Për rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit’’ janë fokusur në gjetjen e habitateve te kesaj kafshe interesante në hapësirën e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanice dhe në të gjithë rajonin malor të Shqipërisë veriore me anë të përdorimit të kamerave-kurth.
Riqebulli i ballkanit (Lynx lynx balcanicus) është një nga llojet e faunës më të rrezikuar në Shqipëri dhe që prej vitit 2006, PPNEA së bashku me partnerë ndërkombëtare nga Zvicra, Gjermania, Maqedonia dhe Norvegjia, ka ndërmarrë një program për studimin dhe ruajtjen e popullatës së tij - Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit.


Vlerësimet më të fundit të ekspertëve tregojnë se numri i rrëqebujve në Shqipëri nuk i kalon 15 - 20 individë në total dhe si i tillë është i klasifikuar si një lloj i kërcënuar në mënyrë kritike (CR – Lista e Kuqe, 2007).

Gjithsesi, nga kërkimet ndër vite me metoda bashkëkohore shkencore, deri më sot nuk ishte provuar prania e rrëqebullit në gjendje të egër në Shqipëri dhe shenjat e prezencës së tij vinin kryesisht nga individë të vrarë dhe të ruajtur si trofe ose nga informacione të rastësishme të marra nga popullsia e zonave rurale, sidomos në zonën e Steblevës, Librazhd.

Si rrjedhojë, ky është një nga rezultatet më të rëndësishme të arritura deri më tani pasi provon në mënyrë perfundimtare për praninë e rrëqebullit në vendin tonë dhe përbën një thirrje të fuqishme për marrjen e masave të menjëhershme për ruajtjen e tyre dhe të habitateve ku ata jetojnë.

Metodologjia e përdorur nga PPNEA për monitorimin e faunës në vend, ka në thelb përdorimin e pajisjeve të quajtura ‘’ kamerakurth”, me anë të të cilave u realizua dhe fotografimi i rrëqebullit të parë në vend.

Kamerat-kurth janë aparate me shkrepje automatike, të pajisura me një sensor me rreze infra i cili dedekton lëvizjen e kafshëve me gjak të ngrohtë dhe i fotografon ato në momentin që kalojnë përpara pajisjes.

Këto pajisje montohen në pemë apo kunja të posaçme të vendosura në pyje, pranë shtigjeve ku njihet lëvizja e kafshëve të egra. Kjo metodë, është një metodë jo-invazive për studimin e faunës, pasi gjeneron informacion në lidhje me praninë dhe abundancën e llojeve të ndryshme pa i shqetësuar ato.

Rrëqebulli është një lloj plotësisht i mbrojtur dhe gjuetia e tij ndalohet rreptësisht në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Faunës së Egër (Nr. 10 006 / 2008) dhe Ligjit për Gjuetinë (Nr. 10 253 / 2010).

Rrëqebulli ka patur një mbrojtje të plotë ligjore në vend që prej vitit 1969. Ai klasifikohet në Listën e Kuqe të Shqipërisë (Urdhër nr. 146 / 2007) me statusin CR (i rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje).

Rrëqebulli mbrohet edhe nga konventa ndërkombëtare, si Konventa e Bernës dhe Konventa Ndërkombëtare për Tregtinë e Specieve në Rrezik (CITES) të cilat janë ratifikuar nga Republika e Shqipërisë.

Situata e rrëqebullit të Ballkanit është edhe më alarmante po të mendohet se ai përbën një popullatë dhe nënlloj (subspecie) më vete dhe të diferencuar gjenetikisht nga popullatat e rrëqebujve të tjerë nëpër botë. Kësisoj, ai ka vlera të mëdha për diversitetin biologjik dhe trashëgiminë natyrore të vendit tonë dhe përbën një thesar të natyrës shqiptare.


Deri më tani jane evidentuar disa raste ne Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë të cilat janë fotografuar nga këto kamera dhe që përbëjnë një vlerë mjaft të madhe ekologjike dhe interesante për vizitorët dhe studiuesit e ndryshëm. Janë bërë disa përpjkeje që të kapet një kafshe e tillë më shumë vlerë qe t’i instalohet ndonjë paisje GPS që të shikohet mënyra e lëvizjes së tij në këto hapsira por deri me tani nuk kemi ndonjë rast konkret . Specialistet e PPNEA, Aleksandër Trajçe dhe Bledi Hoxha në çdo kohë kontrollojnë kamerat e vendosura në shtigje të ndryshme ku gjejnë jo vetëm rreqebullin por edhe kafshë të tjera si Ariu, Dhelpra, Ujku, etj. por objekti kryesor i montimit të këtyre kamera është ‘’mbreti i kafshëve’’ në Shqipëri .

Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë me një sipërfaqe 33.900 ha pyje dhe kullota tashmë është në një fazë zhvillimi për vetë faktin se shfaq mjaft interes ne drejtim vlerave ekologjike,turistike si dhe interes per studiues dhe botues të ndryshëm. Rreth 2000 ha të këtij parku ka gjasa që të përfshihet në listën e UNESCO-s si vlerë trashëgimisë botërore .


Pergatiti : Ing.Fatmir Brazhda

No comments:

Post a Comment